Regjistri i Diasporës dhe Mërgatës
Sipas Ligjit nr. 04/L-095 të Diasporës dhe Mërgatës, Ministria e Diasporës (MeD), në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe me institucionet e tjera, është përgjegjëse për organizimin dhe realizimin e hartimit të Regjistrit të Mërgimtarëve, të shoqatave dhe formave të tjera të organizimit të tyre.
Kush mund të regjistrohet:
Çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje familjare nga Kosova.
Qëllimi
Qëllimi i Regjistrit është evidencimi i numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor, si dhe zbatimi i politikave të përgjithshme në mbështetje të pjesëtarëve të diasporës dhe të mërgatës nga institucionet e Republikës së Kosovës, shtetet ku jeton dhe vepron diaspora e mërgata dhe formave të organizimit të tyre.
Saktësia e të dhënave
Të dhënat në Regjistër duhet të jenë të sakta.
Çfarë përmban regjistri:
Kartela individuale përmban të dhënat personale, arsyen e shpërnguljes, profesionin etj.
Kartela familjare përmban bashkësinë e personave që deklarojnë se jetojnë bashkë.
Regjistrimi i bizneseve -pronësia e biznesit, lloji i veprimtarisë dhe aktiviteti i biznesit të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës.
Regjistrimi i shoqatave, i klubeve dhe i organizatave të ndryshme të diasporës dhe mërgatës.
Siguria e të dhënave
Profili juaj dhe të dhënat do të jenë të mbrojtura sipas Ligjit nr. 03/L-172 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Regjistri i Diasporës dhe Mërgatës është një proces profesional dhe shumë i ndërlikuar. Është aktiviteti kryesor për të marrë informacione më të plota për diasporën dhe mërgatën.
Regjistri i diasporës dhe mërgatës, do të ketë ndikim në politikat zhvillimore socio-ekonomike të vendit, njëherësh do të sigurojë një bazë të qëndrueshme për qëllime studimore dhe analiza të ndryshme. Njëkohësisht, regjistri i Diasporës dhe Mërgatës është projekt/aktivitet madhor i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, për faktin se me këtë aktivitet mundë të dimë sa jemi dhe ku jemi.
Me këtë projekt synohet të arrihet qëllimi në– evidentimin e numrit të saktë të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës, shtrirja e tyre gjeografike, struktura demografike në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor, gjuhësor dhe arsimor, si dhe zbatimi i politikave të përgjithshme në mbështetje të pjesëtarëve të diasporës dhe mërgatës nga institucionet e Republikës së Kosovës, shtetet ku jeton dhe vepron diaspora e mërgata dhe formave të organizimit të tyre.
Institucionet politikëbërëse dhe vendimmarrëse mund të zhvillojnë politika për mërgatën, siç janë: ruajtja e identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës, arsimit, zbatimi i politikave në mbështetje të pjesëtarëve të diasporës nëpërmjet hapjes së qendrave kulturore në vendet me interes për diasporën dhe Republikën e Kosovës, shpërndarja më e lehtë e informatave dhe shërbime më efikase, inkurajimi për pjesëmarrjen dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Pa këto të dhëna, pothuaj është i pamundur bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve ndërmjet Kosovës dhe Diasporës